RAPORTO

veprime ilegale

MASAT PËR PËRMIRËSIMIN E CILËSISË SË AJRIT PRIORITET I MMPH-SË DHE QEVERISË SË KOSOVËS

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor mbajti tryezën me temë “Cilësia e ajrit në Kosovë, sfidat dhe veprimet”, në kuadër të zbatimit të Planit të masave për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë.

Në këtë tryezë morën pjesë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, zv. ministrja e punëve të jashtme Rejhan Vuniq, zv. ministri i Shëndetësisë Granit Abdullahu, deputetja e Parlamentit të Kosovës njëherit nënkryetare e komisionit parlamentar për mjedis Besa Gaxherri, përfaqësuesit e BE, Donatorë, OJQ etj.

Me këtë rast, kryeministri Ramush Haradinaj tha se vendit i ka munguar një strategji e mirëfilltë për rritjen e cilësisë së ajrit, sidomos në industrinë e ndërtimit që kursen energji. Sipas tij, përdorimi i madh i makinave, gjelbërimi jo i mjaftueshëm, ngrohja me qymyr ka bërë që cilësia e ajrit në Kosovë të jetë i një cilësie të keqe.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, theksoi se cilësia e ajrit dhe ndotja e tij nuk është shqetësim vetëm për Kosovën, por është shqetësim me karakter rajonal e global. Ajo shtoi se duke parë gjendjen aktuale të cilësisë së ajrit, e me theks të veçantë në pjesën qendrore të Kosovës ku janë regjistruar viteve të fundit tejkalime të normave të lejuara, e kemi parë të arsyeshme që të organizojmë këtë tryezë të përbashkët për të ndarë përgjegjësitë brenda kompetencave që kemi secili nga ne sa i përket nivelit të ndotjes së Ajrit andaj kemi vënë si prioritet të ministrisë dhe qeverisë në tërësi.

“Rritja e ndotjes së nivelit të ajrit vjen si pasojë e shkarkimeve të ndotësve në ajër nga industria, transporti, ekonomitë familjare dhe bizneset e vogla gjatë këtij sezoni, duke i shtuar këtu edhe kushtet meteorologjike jo të favorshme. Kjo situatë ka sjell nevojën për trajtimin e veçantë të këtij problemi dhe vendosjen e kësaj çështjeje në prioritet të MMPH-së por edhe të Qeverisë së Kosovës”, tha Reshitaj.

Në tryezë u prezantua “Plani i aktiviteteve për përmirësimin e cilësisë së ajrit vjeshtë-dimër 2017-2018” dhe u diskutua për rolin dhe angazhimin e institucioneve dhe të organizatave tjera në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Plani parasheh arritjen e tri objektivave, përmirësimin e cilësisë së ajrit, rritjen e nivelit të zbatimit të legjislacionit dhe përgjegjësive institucionale, si dhe ngritjen e nivelit të edukimit dhe ndërgjegjësimit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.

Pjesëmarrës dhe diskutues në këtë tryezë ishin edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, zv. Ambasadori i Ambasadës Gjermane, IKSHPK, përfaqësuesit e KEK-ut, Feronikel-it, Komuna e Prishtinës, donatorët dhe OJQ-të si: GIZ-it, JICA-s, UNDP, MCC, KOSID, REC, GAC, Let's Do It Kosova, Sierralab etj.

 

  • Draft Plani i aktiviteteve për përmirësimin e cilësisë se ajrit vjeshtë-dimër 2017-2018 Shkarko