RAPORTO

veprime ilegale

Ministrja Reshitaj filloi veprimet konkrete për reduktimin e ndotjes së ajrit

 

Në kuadër të Planit të Aktivitetit për reduktimin e ndotjes së ajrit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor sot filloi veprimet konkrete ne ndërgjegjësimin e qytetareve për ndërprerjen e përdorimit  të thëngjillit për ngrohje. Në këtë linjë u bë zëvendësimi i thëngjillit me drunjë në dy  operatorë, Kopshti i fëmijëve "Hana" dhe Fakulteti i Studimeve Islame, të cilët deri me tani kanë përdorur thëngjillin si lënde djegëse për ngrohje, duke kontribuar kështu në ndotjen e ajrit në Prishtinë.

Gjatë këtij aktiviteti Ministrja Reshitaj në prani të drejtoreshës së kopshtit dhe dekanit të Fakultetit të Studimeve Islame, u shprehë e kënaqur që me ketë veprim po ndikojmë sado pak në reduktimin  e ndotjes së ajrit dhe ndërgjegjësimin e qytetareve për ndalimin e përdorimit të thëngjillit si lëndë djegëse.

Pasojat e përdorimit të thëngjillit për ngrohje kanë ndikim negativ të drejtpërdrejtë ne shëndetin e njeriut duke prekur sistemin respirator, kardio-vaskular, nervor qendror si dhe shfaqjen e sëmundjeve kancerogjene.

Si Ministri në bashkëpunim me ministritë ndërlidhëse jemi duke punuar në zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore, kontrollimin e nivelit të ndotjes nga veturat, ndalimin e përdorimit të thëngjillit në Shkolla, kontrollimin e cilësisë së derivateve të naftës që hyjnë në Kosovë,  rritjen e bashkëpunimit me komunat. Kështu së bashku edhe me ndërgjegjësimin e qytetareve për rreziqet e përdorimit të thëngjillit do të ndikojmë në përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë, shtoi nder të tjera Ministrja Reshitaj.

Nga ana tjetër dekani i Fakultetit të  Studimeve Islame dhe drejtoresha e Kopshtit të fëmijëve “Hana”, pasi falënderuan Ministren për këtë aktivitet u zotuan që më nuk do të përdorin thëngjillin si dhe apeluan qytetaret që të ndalojnë një veprim të tillë,  të dëmshëm për shëndetin e shoqërisë.