RAPORTO

veprime ilegale

Ministrja Reshitaj mori pjesë në lansimin e projektit për menaxhimin e Lumit Sitnica

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor znj. Albena Reshitaj mori pjesë në lansimin e projektit të përkrahjes për menaxhimin e Lumit Sitnica që zbatohet nga SICALA Haute-Loire, një autoritet ndër-komunal francez i komunave përgjatë lumit Loire.

Projekti bazohet në shkëmbimin e ekspertizës dhe kompetencave ndërmjet autoriteteve lokale dhe synon zhvillimin e një menaxhimi koherent dhe të bashkërenduar të pellgut te lumit Sitnica, në mes të komunave në rrjedhën e sipërme dhe në rrjedhën e poshtme të lumit Sitnica, bazuar në përvojën e menaxhimit të basenit lumor në Francë në përputhje me legjislacionin e BE-së.

Në këtë ceremoni të udhëhequr nga ambasadori Francez në Kosovë z. Didier Chabert, Ministrja Reshitaj falënderoi shtetin francez për kontributin e dhënë për Kosovën dhe në veçanti për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ajo theksoi se Ministria mbetet e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve të saj. Në këtë aspekt, Ministria ka proceduar për aprovim e Strategjisë Shtetërore të Ujerave të  Kosovës e cila parasheh orientimet programore dhe strategjike për 20 vitet e ardhshme në sektorin e ujërave. “Ne do jemi në mbështetje të plotë të projektit dhe shpresojmë që ky të jetë vetëm një projekt në vazhdën e bashkëpunimit të shkëlqyer mes Republikës së Kosovës dhe Francës”, shtoi nder të tjerash Ministrja Reshitaj.

Nga ana tjetër ambasadori Chabert falënderoi ministren Reshitaj për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe u zotua që do të angazhohet në intensifikimin e marrëdhënieve mes Francës dhe Kosovës.

Në fund u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit mes SICAL dhe komunës së Lipjanit, kurse me çertifikimin e rezultateve pritet të nënshkruhen marrëveshjet edhe me kryetarët e Ferizaj, Fushë Kosovës, Obiliqit, Vushtrrisë dhe Mitrovicës.