RAPORTO

veprime ilegale

Reshitaj në Washington, merr përkrahje nga USAID për menaxhimin e burimeve ujore

Gjatë vizitës zyrtarë në Washington, ministrja e Mjedisit  dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj, u prit në takim edhe nga përfaqësues  të USAID-it, Brock Bierman, zëvendës Administrator, Ana Luisa Pinto, zyrtare e Departamentit për Evropë dhe Euro-Azi si dhe Mark Kamiya, zyrtar i Departamentit të Mjedisit.

Reshitaj para se gjithash u shpreh falënderuese ndaj USAID-it për përkrahjen maksimale që ka dhënë dhe po jep për Kosovën e në veçanti në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe planifikimit hapësinor .

“Uji është një burim jetik jo vetëm për njerëzit, por edhe për një shumëllojshmëri të ekosistemeve ujore, duke përfshirë ligatinat, pellgjet ujë-mbledhëse dhe lumenjtë.

Ne besojmë se USAID mund të ofrojë ndihmë teknike për Autoritetin Rajonal të Pellgjeve Lumore pasi që na mungon studimi për të gjitha burimet ujore të Kosovës, USAID mund të ofrojë shërbime të ndërtimit dhe ngritjes së kapaciteteve tek ky autoritet dhe kjo do t’i mundësojë ARPL-së për të përmirësuar operacionet, menaxhimin financiar, planifikimin dhe menaxhimin efikas të burimeve ujore”, u shpreh ministrja Reshitaj.

Ministrja Reshitaj kërkoi ndihmë nga USAID edhe për  themelimin e Odës së  Arkitektëve dhe Inxhiniereve të Ndërtimtarisë, duke deklaruar  se tani më shumë së kurrë, zëri kolektiv i arkitektëve është thelbësor për krijimin e një të ardhme më të mirë për vendin tonë. Ne besojmë se ata profesionistë duhet të jenë në tryezë me politikëbërësit të cilët janë të angazhuar për një mjedis më të mirë dhe një arkitekturë të begatë urbane.

Nga ana tjetër përfaqësuesit e USAID-it  ri konfirmuan gatishmërinë e tyre për të vazhduar përkrahjen për Kosovën, duke u shprehur se janë të kënaqur kur shohin vullnet, gatishmëri e ide konkrete për të  shënuar progres shoqëror.

“USAID është i gatshëm të ndihmojë ministrinë tuaj në vazhdimësi në fushat që ju keni nevoje dhe kërkoni përkrahje” përfundoi Brock Bierman- zëvendës Administrator në USAID.