RAPORTO

veprime ilegale

Reshitaj takoi përfaqësuesit e Universiteteve, ofron përkrahje për ekspertet e rinjë

Më qëllim të rritjes së bashkëpunimit mes ministrisë dhe eksperteve universitar, përkrahjes të sapo diplomuarve në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj priti ne takim përfaqësuesit e universiteteve publike në Kosovë. Ministrja Reshitaj në takim paraqiti prioritetet dhe veprimet e saj në  përmirësimin e gjendjes së mjedisit dhe planifikimit hapësinor, duke u nisur nga menaxhimi i duhur i mbeturinave, mbrojtja  e burimeve ujore, reduktimi i  ndotjes së ajrit, rehabilitimi  i shtretërve të lumenjve etj. Reshitaj deklaroi se ka iniciuar krijimin e Komitetit Këshillues të eksperteve e shoqërisë civile, ku do te marrin pjesë edhe ekspertë  të mjedisit dhe planifikimit hapësinor për të marrë pjesë në hartimin e politikave zhvillimore në MMPH. Po ashtu Reshitaj shpalosi  idenë e saj për të inkuadruar të sapo diplomuarit e shkencave që lidhen me mjedisin në punë praktike brenda ministrisë, angazhimin e saj që në bashkëpunim me donatoret ndërkombëtar të sigurojë bursa studime jashtë vendit për studentet e dalluar si dhe mundësinë e përkrahjes së studimeve të tyre post-diplomike  dhe doktoratave në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor. Nga ana tjetër rektori i Universitetit të Pejës  “Haxhi Zeka” Fadil Millaku deklaroi se kjo është iniciativa e para që një ministër i MMPH-së ndërmerr në rritjen e bashkëpunimit mes ministrisë dhe universiteteve, me ç ‘rast propozoi që ministria të subvencionojë projektet dhe hulumtimet e studenteve të cilat sipas tij kanë mbetur në sirtarë, e ne vend të kësaj sipas tij ministria duhet ti marrë  dhe t’i trajtojë këto projekte me rendësi për mjedisin. Pro rektorja e Universitetit të Prishtinës Myrvete Badivuku tha se secili nga ne e  kemi obligim të kontribuojmë në mbrojtjen e mjedisit dhe vlerësoi se  iniciativa e ministres për inkuadrimin e eksperteve në ministri është hap i qëlluar në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në përgjithësi.