RAPORTO

veprime ilegale

Shala: KEK-u ka hapësirë për ta evituar krizën energjetike, MMPH-ja ka kryer detyrimet e saj

INTERVISTE PËR AktivPress

Shala: KEK-u ka hapësirë për ta evituar krizën energjetike, MMPH-ja ka kryer detyrimet e saj

Kosova është në prag të një krize energjetike. Menaxhmenti i KEK-ut ankohet se u kanë mbetur vetëm edhe pak rezerva të thëngjillit për shkak se nuk po arrijnë të kenë qasje në zonën ku është planifikuar të bëhet mihja.

Mirëpo, e kujt është përgjegjësia në rast se vendi mbetet në terr për shkak të dështimit për shpronësimin e 17 pronave në Hade e Shpitullë. Kush është dashur dhe kur është dashur të bëhet ky shpronësim?.

Në një intervistë për AktivPress, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala e shpjegon në detaje gjithë këtë proces. Ai thotë se ka qenë përgjegjësi e KEK-ut që të merret vesh me banorët për shpronësimin e pronave të tyre.

Por, sipas tij, KEK-u ka dështuar ta bëjë këtë gjë. Për më tepër, KEK-u, rezulton ta ketë njoftuar ministrinë shumë  vonë se s’po mund të ketë ujdi me banorët, në mënyrë që t’i hapet rrugë zbatimit të Ligjit për shpronësime.

Shala, hedhë poshtë çdo mundësi që MMPH-ja ka dështuar t’i përmbush detyrimet e veta në raport me këtë çështje.  Bile, ai thotë se edhe KEK-u ka ende hapësirë që ta shmang krizën energjetike.

Më gjerësisht mund ta lexoni në vazhdim:

AktivPress: Zotri ministër! Nga java e kaluar është lëshuar alarmi se vendi po rrezikon të futet në një krizë energjetike për shkak se KEK-u ka vetëm edhe dy javë rezerva të thëngjillit. Një pjesë e përgjegjësisë për gjendjen e krijuar i është adresuar edhe Ministrisë së Mjedisit  dhe Planifikimit Hapësinor.  Çka në të vërtetë po ndodhë?

Shala: KEK-u me 26.07.2014 ka paraqitur kërkesë për zhvendosje të fshatit Shipitullë dhe Hade pranë MMPH-së. Me datë 22.08.2014 është aprovuar kërkesa e KEK-ut dhe është obliguar që të hartoj Planin e Veprimit për Zhvendosje.  KEK-u gjatë vitit 2015 ka angazhuar një kompani ndërkombëtare për të hartuar planin Plani i Veprimit për Zhvendosje dhe për ta bërë vlerësimin. Kompania së bashku me KEK-un këtë veprim e kanë realizuar me datë 25 maj 2017, ku kanë sjellë në MMPH, Planin e Veprimit për Zhvendosje dhe kanë kërkuar nga ministria ta miratoj.

MMPH me datë 02.06.2017 ka miratuar PVZH-në dhe ka kërkuar nga KEK-u që të bëjë marrëveshje me banorët gjë të cilën KEK-u nuk ka arritur ta bëjë pra të i bindë banorët të i nënshkruajnë marrëveshjet. Pasi KEK-u nuk ka arritur të i bindë banorët ka bërë kërkesa për shpronësim sipas Ligjit për shpronësim të pronës së paluajtshme. Sa për informim, KEK-u është ndërmarrje publike që nuk menaxhohet nga MMPH-ja dhe sipas Kornizës së Politikave për Zhvendosje, MMPH ka kompetencë vetëm miratimin dhe monitorimin e Planit të Veprimit për Zhvendosje, ndërsa i tërë procesi i zhvendosjes duhet të kryhet nga KEK-u.

Ndërkohë, sa i takon Ligjit për shpronësim, MMPH-ja përgatitë vendimet dhe i miraton qeveria. Por, kërkesën për shpronësim e bënë KEK-u. Pra MMPH-ja nuk mund të vihet në lëvizje pa marrë paraprakisht një kërkesë nga KEK-u. Në këtë rast pasi ka marrë kërkesë nga KEK-u , MMPH-ja brenda 3 ditëve ka proceduar vendimin për qeveri.

AktivPress: Konkretisht, përgjegjësi e kujt ka qenë shpronësimi i pronave në Hade e Shipitullë?

Shala: Siç e sqaruam më herët, kërkesën për shpronësim e bënë KEK-u. MMPH-ja përgatitë vendimet të cilat i miraton qeveria. MMPH-ja  nuk ka pasur asnjë vonesë në raport me kërkesat e tilla.

AktivPress: Kush e ka obliguar KEK-un që të merret me çështjen e shpronësimeve?

Shala: Ky obligim i KEK-ut rrjedh nga Korniza e Politikave të Zhvendosje dhe Ligji për shpronësimin e pronës së paluajtshme.

AktivPress: Si ministër, a keni qenë i informuar se ky proces ka ngecur. Nëse po, çka keni ndërmarr për ta evituar të keqen që tash po pritet të ndodhë?

Shala: Si ministri kemi monitoruar procesin në tërësi dhe sipas Kornizës dhe ligjit kemi kryer të gjitha veprimet. MMPH-ja në raport me KEK-un ka përgjegjësi vetëm për sa i përket shpronësimit dhe në këtë drejtim ka kryer çdo obligim që ka ardhur si kërkesë nga KEK-u. Me kaq përfundon obligimi i MMPH-së në raport me KEK-un. Çdo proces tjetër i menaxhimit të KEK-ut, i planeve për zgjerim të mihjeve nuk është në kompetencë të kësaj ministrie.

AktivPress: A ka kërkuar KEK-u ndihmë nga Ministria. Nëse po, kur?

Shala: Ne në vazhdimësi kemi pasur komunikim me instancat tjera, Pushtetin lokal, Sindikatat, Grupet e Interesit, Përfaqësuesit e Lagjeve, me të gjitha këto palë kemi dhënë sqarimet e nevojshme administrative dhe juridike dhe kemi sqaruar kompetencat e Institucioneve përkatëse. Unë kam angazhuar të gjitha trupat tona inspektuese të cilat kanë ndaluar të gjitha ndërtimet në zonën e interesit të veçantë. Poashtu gjatë kësaj kohe kemi rrënuar 7 pllaka (themele) të shtëpive të cilat kanë filluar të ndërtohen gjatë vitit 2016-2017, dhe nga ajo kohë janë ndalur të gjitha ndërtimet ilegale.

Poashtu Inspektorati i MMPH-së, ka ngritur padi ndaj pushtetit lokal për mosveprim.  Sipas KPZH-së, KEK-sh.a është  dashur të kryej zhvendosjen gjatë  vitit 2015 dhe 2016 mirëpo ka dështuar për të arritur Marrëveshje me pronarët dhe sipas KPZH-së, kur dështon ky proces kalohet në procedurën e shpronësimit. Planin e Veprimit për Zhvendosje, KEK e ka dorëzuar  në MMPH me datë 25.05.2017 dhe MMPH menjëherë  me datë 02.06.2017 e ka aprovuar mirëpo edhe pas aprovimit KEK nuk ka arritur të nënshkruajë Marrëveshjet me pronarët ashtu siç parashihet me KPZH.

Pas dështimit të këtij procesi Korporata Energjetike e Kosovës(KEK-sh.a) me datë 14.07.2017(ditë e Premte)  ka paraqitë pranë MMPH-së ‘‘Kërkesën  për shpronësim’’ të  pronave të paluajtshme të   pronarëve  dhe zotëruesve  të interesit të  cilat preken nga realizimi i Projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës(KEK-sh.a),  Zona Kadastrale: Hade dhe Shipitullë, Komuna Obiliq. Me date 17.07.2017( ditë e Hënë) , MMPH ka dorëzuar në Qeveri, Propozimin për shpronësim dhe Qeveria e Kosovës me datë 21.07.2017 ka nxjerr Vendimin Nr.05/150 me të cilin aprovon  shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim. MMPH ka publikuar Vendimin në Gazetë Zyrtare dhe Ditore, ka bërë shpërndarjen e vendimit dhe njoftimit  të banorët dhe institucionet tjera dhe ka caktuar  Dëgjimin Publik për datën 10 Gusht 2017 konform Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme. MMPH sipas  dy dokumenteve ka kryer dhe është duke kryer brenda  afateve ligjore të gjitha veprimet që rrjedhin nga ligji.

AktivPress: Kur është marrë vendimi për shpronësimin e 17 pronave mbi bazën e kërkesës së KEK-ut?

Shala: Vendimi për shpronësim të këtyre 17 pronave është marrë me datë 21.07.2017. Kërkesa ishte bërë nga KEK-u me datë 14.07.2017.

AktivPress:  Çka duhet bërë tash, që vendi të mos mbetët në terr?

Shala: MMPH-ja ka miratuar vendimin e parë në qeveri për shpronësim, ka  caktuar ndëgjimin publik dhe pas datës 10 gusht do të i propozoj qeverisë miratimin e vendimit preliminar. Ndërsa pasi Ministria e Financave të kryej vlerësimin e pronës, MMPH-ja do të i propozoj qeverisë miratimin e  vendimit përfundimtar më të cilin mbyllet procedura e shpronësimit. KEK-u deri në miratimin e vendimit përfundimtar ka hapësirë të i bindë banorët të nënshkruajnë marrëveshje.  Çdo përgjegjësi e MMPH-së është duke u kryer brenda afatit ligjor. 


http://aktivpress.com/shala-kek-u-ka-hapesire-per-ta-evituar-krizen-energjetike-mmph-ja-ka-kryer-detyrimet-e-saj/