RAPORTO

veprime ilegale

Xhamisë në lagjen Kalabria i I pezullohet leja e ndërtimit

Pas ankesës së banorëve nga komuniteti në lagjen Kalabria (Veternik), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, mori vendim për pezullimin e lejes së ndërtimit të lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm, Ndërtim dhe Mbrojtje të Mjedisit për ndërtimin e objektit fetar në lagjen Kalabria. Ankesa e qytetarëve bazohet në neglizhimin e mbajtjes së diskutimit publik me banorët në lidhje me ndërtimin e kësaj xhamie.

Gjatë inspektimit të dokumentacionit nga inspektorët e MMPH’së, u konstatua se Drejtoria për Urbanizëm e Komunës së Prishtinës ka bërë shkelje të dispozitave të Ligjit për Planifikim Hapësinor, Ligjit për Ndryshimin e Ligjit Hapësinor si dhe Ligjit të Ndërtimit. Ndër dispozitat ligjore të shkelura me dhënien e lejes së ndërtimit përfshihet promovimi i procesit demokratik të pjesëmarrjes, transparencës së plotë në planifikim, nënshtrimit të shqyrtimit publik, dështimin e njoftimit të publikut dhe mundësimin e dhënies së komenteve për kërkesën e dhënies së lejes së ndërtimit.

Rekomandimi nga Inspektorati është bazuar në faktin se Plani Rregullues për këtë lagje është në proces të revidimit, ndërkaq në Planin Rregullues të miraruar nga Asambleja Komunale të vitit 2005 nuk parashihet ndëritimi i një objekti të tillë. Ndërkaq, sipas pjesës grafike të planit të ri 2013-2023, përsëri nuk është paraparë ndërtimi i asnjë objekti fetar në këtë pjesë.

Meqenëse revidimi i planit rregullues është në fazën fillestare, rekomandimi i Inspektoratit të MMPH’së mbetet që në kuadër të revidimit të mbahet debati publik dhe të veprohet sipas komenteve dhe dëshirës së banorëve të lagjes. Deri në atë kohë, vazhdimi i punës do të konsiderohet i jashtëligjshëm dhe i ndëshkueshëm sipas ligjeve të Kosovës.